Ansambli i lagjes Goricë zhvillohet në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës. Sipas Çelebiut në shek. XVII lagjja kishte 200 shtëpi, ndërsa pamjet e sotme arkitektonike të banesave, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, i janë nënshtrur rindërtimeve të thella pas tërmetit shkatrrimtar të vitit 1851. Disa banesa në ballin e tyre dhe porta mbajnë datimin e kësaj periudhe rindërtimi të gjysmës së dytë të shek. XIX. Relieve paraqitet i ndarë në brezin e sipërm të lagjes që për vetë lartësinë konfigurohet kryesisht me banesa të vogla dhe mesatare që shpesh herë janë mjaft të ngjeshura me njëra tjetrën. Ndërsa pjesa e brezit të poshtëm pranë lumit paraqet një truall ku ndërtimet kanë një vendosje pak a shumë të lirë. Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha kryesisht të tipit me çardak, që duket se i përkasin fazës së shekullit të XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim me banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare. Në qendër të lagjes vazhdimsin e linjës së banesave e thyen prezenca e kishës tip bazilike të Shën Spiridhonit. Për vetë pozicionin që ka lagja Goricë, ndryshe nga Mangalemi, kapet më pak nga rrezet e diellit.