Ansambli muzeal i lagjes Mangalem shtrihet në formë gjysmë harku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e  zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit. Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit. Ndryshe nga dy lagjet e tjera, Mangalemi ka një terren më tepër të aksidentuar dhe mundësia për të realizuar zgjidhje arkitekturore të lira mbetet më e kufizuar. Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërmuese janë të dimenseoneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe kopshte, si pasoj hyrjet e banesave dalin drejtpërsëdrejti në rrugicë. Për të shfrytëzuar çdo sipërfaqe të mundshme të terrenit për banimin, ambientet e katit të sipërm shpesh herë dalin në rrugicë në formë erkeri duke mos penguar kalimin e njerzve poshtë në kalldrëm. Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të Mangalemit, Berati cilësohet ndryshe edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”.