Ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga  të paktat monumente të përiudhës mesjetare në Shqipëri që vazhdon të ketë një jetë intensive brenda mureve rrethues. Deri në shekullin e XIII qyteti mesjetar zhvillohej kryesisht brenda territorit të kalasë ku përveç shumë monumenteve me karakter religjoz, mbrojtës dhe inxhinierik kishte edhe një numër të konsiderueshëm banesash. Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike ashtu si edhe dy lagjet e tjera, Kalaja e mer gjatë shek. XVIII-XIX. Si çdo vendbanim tjetër i fortifikuar, zhvillimi urbanistik është ndikuar drejtpërsëdrejti nga forma e fortifikimit dhe sidomos e hyrjeve. Rrjeti kryesor rrugor i lagjes është kushtëzuar nga një masë të madhe nga hyrja kryesore veriore, prej të cilës degëzohen tri rrugë kryesorë që përshkojnë lagjen; rruga lindore dhe perëndimore ndjekin murin rrethues ndërsa një tjetër shkon në qendër drejt zonës së akropolit. Nga këto tri arterie kryesore degëzohen një mori rugicash, të cilat me gjarpërimet karakteristike të urbanistikës mesjetare krijojnë një qarkullim mjaft interesant. Godinat kryesore mbizotruese padyshim që janë banesat karakteristike që zënë një sipërfaqë të konsiderueshme në shpatin lindor, verior dhe perëndimor të kodrës, ndërsa në pjesën më të lartë ndodhet kështjella e garnizonit dhe brenda saj Selia. Terreni i ngushtë ka bërë që banesat të vendosen ngjeshur njëra-tjetrës por që ruajnë deri diku larminë e tyre, ndryshe nga ato të lagjes Mangalem ku terreni është më shumë i aksidentuar. Pavarësisht nga ngushtësia e truallit banesat në pjesën më të madhe kanë nga një oborr sado të vogël. Shtëpitë dalin në rrugë kryesisht në faqet anësore duke pasur zakonisht portën hyrëse të mbuluar me qemer apo me arkitra. Banesat në pjesën dërmuese i takojnë arkitekturës së periudhës osmane të shek. XVIII-XIX, sidomos edhe datimet që gjenden në hyrjet e tyre konfirmojnë se janë rindërtuar pas tërmetit të vitit 1851. Pjesa më e madhe e banesave janë të vogla por nuk mungojnë edhe ato me përmasa të mëdha dhe me një arkitektur më të zhvilluar.