Ura e Goricës përmendet për herë të parë në shek. XVII nga udhëtari osman Evlija Çelebiu ku shprehet: Ura e Goricës ka 9 harqe mbi tetë këmbza guri të ngulura thellë në ujë dhe dy këmbza të forta anëve. Sipër është shtruar me trarë të thatë dushku të prerë në malin e Thatë. Pra ura gjatë shekullit XVII ishte me këmbza guri dhe platformë druri sipër. Në shek. XVIII (1777) sipas një shënimi nga një libër i kishës së Shën Gjergjit, ura e Goricës u ndërtua me qemerë guri nga sundimtari vendas Ahmed Kurt pasha. Në vitin 1888 ura u rrëzua nga prurjet e shumta të Osumit, një dëmtim tjetër ura e pësoi gjatë luftës së I-rë Botërore (1914-1918). Kështu në gjendjen e sotme ura e Goricës vjen pas rikonstruksioneve të kryera pas vitit 1918.

Në gjendjen e sotme ura e Goricës përfaqëson një urë të tipit me shumë qemere me pjesën kaluese të rrafshët në pjerrësi në hyrje dhe dalje. Gjatësia e urës shkon 127 m dhe përbëhet nga shtatë qemerë gjysëm rrethorë me hapësirë drite nga 6.7 (i pari djathtas) deri në 16.5 m maksimumi (i dyti djathtas). Në të gjashtë këmbët janë çelur dritare shkarkuese të mëdha dhe në pesë prej tyre, mbi to janë hapur nga dy dritare më të vogla, gjithsej 10. Nga 6 këmbët mbështetëse 5 prej tyre janë ndërtuar me çarëse për rrjedhën e ujit.