Xhamia e Bardhë mendohet të jetë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV, dhe me gurë të bardhë prej të cilëve ka marrë edhe emrin. Ajo njihet ndryshe edhe si Xhamia e Fatihut. Ndodhet brenda rrethimit të dytë të kalasë (akropolit), ashtu si të gjitha faltoret që ndërtoheshin në periudhën e sulltan Fatihut. Ajo mendohet se ka qenë xhamia e dytë e ndërtuar në Berat dhe kryesisht i ka shërbyer administratës osmane dhe garnizonit ushtarak. Xhamia përbëhet nga salla lutjeve e vendosur përballë hyrjes, hajati, dhe minareja e vendosur në të djathtë të hyrjes së sallës. Nga Xhamia ruhen vetëm nëntë këmbë shkallë.