Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar se muret e kishës janë ndërtuar në shekullin e XVI. Kjo është vërtetuar edhe nga mbishkrimi i vitit 1591 që ndodhet te pikturat në portën veriore. Kisha ka një planimetri drejtëkëndore dhe përbëhet nga naosi, kthina e altarit dhe absida trefaqëshe. Në kishë gjendet një kapitel i ripërdorur si altar për shërbesat fetare, i cili është një element i arkitekturës paleokristiane. Kisha është pikturuar nga Onufër Qiprioti. Në pjesën e sipërme, nën konstruksionin e çatisë është vizatuar brezi i profetëve. Në brezin e dytë të afreskëve jane pikturuar skena ungjillore dhe në brezin e poshtëm janë pikturuar martirët dhe apostujt. Në anët e kishës ekzistojnë dy pjesë paraklisesh të rrënuara nga të cilat njëra mbante emrin e Shën Anastasit dhe tjetra të shën Thanasit.